Gjumi përbën një sekuencë kohore të konsiderueshme të jetës tonë. Është po aq i rëndësishëm sa dieta dhe aktiviteti sportiv. Madje statisikat tregojnë se mungesa e gjumit është burimi kryesor i  stresit dhe problemeve shëndetësore.

Zakonisht ne kalojmë nëpër katër faza gjumi: 1, 2, 3, dhe REM (lëvizja e shpejtë e syve). Këto faza ecin në formë cikli nga 1 në REM dhe pastaj fillojnë përsëri me fazën 1. Një cikël i plotë i gjumit merr një mesatare prej 90 deri 110 minuta, me secilën fazë që zgjat nga 5 deri në 15 minuta. Ciklet e para të gjumit çdo natë kanë faza relativisht të shkurtëra REM dhe periudha të gjata të gjumit të thellë, por më vonë gjatë natës, periudhat REM zgjasin dhe koha e thellë e gjumit zvogëlohet.

Studimet kanë treguar se në fakt, nuk ka rëndësi sa orë flemë, por a i plotësojmë këto cikle. Tashmë është vërtetuar se 7-8 orë, që konsiderohej idealja nuk është një masë për këdo. Ka persona të cilët mund të funksionojnë me 4 orë gjumë dhe persona që u nevojiten 8-9 orë. E rëndësishmja është që sado gjumë të flemë, cikli të ketë mbaruar plotësisht. Shqetësimet më të mëdha lindin kur ne zgjohemi midis fazave 2 dhe 3.

REM, faza e fundit është ajo ku trupi bëhet gati vetë për t`u zgjuar. Pas kësaj faze, është më e thjeshtë të marrim veten dhe të nisim aktivitetet e ditës. Sipas llogarisë së mësipërme, çdo cikël gjumi zgjat 90-110 minuta. Prandaj orën e fjetjes dhe orën e zgjimit, ndajeni në pjesë rreth 100 minutëshe, për të llogaritur sadopak fazën e fundit REM që do të kaloni. Kështu do ta keni më të thjeshtë të zgjoheni, pavarësisht sa orë keni fjetur.

Gjumi përmirëson shumë funksione të trupit në të njëjtën kohë. Ai ul nivelin e stresit, rregullon qarkullimin e gjakut, përshpejton punën e trurit gjatë ditës, ndihmon në parandalimin e problemeve të zemrës dhe problemet me depresionin. Gjumi është mënyra e organizmit tonë për t`u restauruar prandaj duhet t`i kushtojmë rëndësinë e duhur.